Në Gjykatën Themelore në Prishtinë dega në Lipjan është mbajtur seanca fillestare ndaj pesë policëve të dyshuar për “Vrasje në Pakujdesi”, në rastin e 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu. Mirëpo, avokati i familjes Zejnullahu, Asdren Hoxha, para gazetarëve ka treguar se gjyqtarja nuk e ka lejuar të marrë pjesë në seancën fillestare.
Ky vendim e ka çuditur avokatin Hoxha, duke treguar se kishte kërkuar sqarime disa herë “mirëpo qasja ishte e tillë që unë nuk duhej të merrja pjesë”.
Avokati i familjes së dëmtuar konsideron se ka qenë e arsyeshme pjesëmarrja e tij duke u thirrur në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, në nenin 63 parasheh të drejtën e të dëmtuarit dhe në nenin 64 të drejtën për të mbetur i informuar.
Avokati, Xhevdet Smakiqi, në një prononcim për Periskopin ka treguar në detaje se në këtë rast janë shkelur nenet e Kodit të Procedurës Penale nga ana e Gjyqtares të Procedurës Penale.
“Konsideroj që refuzimi i pjesëmarrjes së autorizuar të palës së dëmtuar në këtë rast përfaqësuesit të viktimës në rastin e Lipjanit nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake bie ndesh me nenin 23, neni 24 dhe neni 2010 të Kodit të Procedurës Penale dhe me parimin e barazisë së palëve në procedurë e që është edhe pala e dëmtuar”, ka thënë ai.
Smakiqi e konsideron se në këtë fazë nuk ka të bëjë hetimi me masat e fshehta hetimore.
“Duke qenë se ky rast edhe pse është në procedurë paraprake hetimore nuk i përmbushë kushtet ligjore që Gjykata të mos i ofrojë qasje në shkresat e lëndës edhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar pasi që nuk është rast nën hetim përmes masave të fshehta hetimore ku kërkohet konfidencialiteti në këtë fazë hetimore”, ka thënë ai.
Smakiqi ka treguar se avokati i palës së dëmtuar do të mund të bëjë ankesë brenda 48 orëve.
“Avokati i palës së dëmtuar ka të drejtën e ushtrimit të ankesë në kolegjin e penal brenda 48 orëve për të kërkuar qasje në shkresat e lëndës dhe t’i mundësohet parashtrimi i deklaratës për kompensim të dëmit dhe kërkesën pasurore juridike”, tha tutje ai.
Sipas Smakiqit, policët që dyshohen për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, mund të dënohet nga 6 muaj deri në 5 vite me burgim.