Smakiqi thotë se bastisjet e Speciales po bëhen nën dyshimin për pengim të hetimeve në procesin e ish-krerëve të UÇK-së

Prishtinë | 02 Nën 2023 | 08:13 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Avokati Xhevdet Smakiqi, ka kërkuar që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë të gjykohen në liri. Ai për Ekonomia Online, ka thënë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Sipas tij, ish-presidenti Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, është dashur që gjykimin ta prisnin në liri.

Ai ka kritika edhe për vonesa në përfundim të këtij procesi. Thotë se edhe pas katër vjetësh, ende nuk ka përfunduar procesi i dëgjimit të dëshmitarëve.

“Përndryshe organet e drejtësisë duhet të veprojnë me urgjencë dhe ne edhe Prokuroria Speciale edhe Gjykata e Kosovës në Hagë në Dhomat e Specializuara, nuk janë duke vepruar me urgjencë sepse kemi gati katër vite po behën dhe nuk po përfundon as dëgjimi i dëshmitarëve, dhe në këto kushte sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe parimeve të kodit të procedurës penale të Kosovës dhe Konventave Ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut ata ishte dashur që gjykimin ta prisnin në liri, pra Gjykata që po vepron në mënyrë të qetë të ngadalshme të kujdesshëm sepse edhe drejtësia e shpejtë nuk është drejtësi”.

“Por edhe drejtësia e vonuar quhet drejtësi e mohuar, pra kërkohet optimalja dhe për optimale atëherë edhe Thaçi, Krasniqi, Selimi, Veseli duhej ta prisnin gjykimin në liri”, ka deklaruar Smakiqi.

E sa i përket bastisjeve, Smakiqi thotë se është normale për shkak të mandatit që e ka nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Thotë se këto bastisje bëhen nën dyshimin për pengim të hetimeve në procesin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Nuk ka kuptim bastisja apo urdhër kontrolli. Është veprim hetimor, i cili i adresohet një personi i cili është nën dyshim, sepse aty ka një arsyetim paraprak ku gjyqtari i vlerëson provat, pretendimet e Prokurorisë dhe atëherë aprovon një urdhër kontroll apo një urdhër-bastisje, mirëpo duke parë që Gjykata Speciale deri më tani ka mandatin e saj të cilin e ka nga Kuvendi i Kosovës ata kanë të drejtën dhe autorizimet për ta bastisur secilin që Prokuroria pretendon dhe i aprovohet nga gjyqtari i procedurës paraprake andaj e shoh në vazhdën e atyre dyshimeve që kinse disa persona në bashkëpunim janë duke tentuar të ndikojnë në dëshmitar ose në pengimin e drejtësisë apo në prishjen e provave”, u shpreh Smakiqi.

Të ngjashme