Para dy javëve Komuna e Gjilanit u kishte ndarë ushqim për kafshë 40 fermerëve nëpër fshatrat e kësaj komune.
Por ndonëse kishin bërë kërkesë, banorëve të fshatit Bilinicë të kësaj komune nuk u takoi kjo ndihmë.
Ata thonë se i tërë fshati merret me blegtori, raporton KTV.
Përderisa shtojnë se në këmbim të ushqimit për kafshët zyrtarë të Komunës u kanë kërkuar vota.
Sipas tyre, shpërndarja e ushqimit për kafshët është bërë pa asnjë kriter.
Banorët e këtij fshati, i cili gjendet në vijën kufitare me Serbinë, burim të vetëm të të ardhurave kanë blegtorinë.
Por, në Komunën e Gjilanit e mohojnë se përkatësia partiake ka ndikuar në ndarjen e ndihmave, derisa pranojnë se ka mundur të ketë lëshime teknike.
Komuna e Gjilanit për të ndihmuar fermerët në kohë pandemie ka ndarë nga buxheti i saj 10 mijë euro.