Asnjë qytetar, njohës i ekonomisë, me vetëdëshirë dhe vetëdije të plotë nuk do të duhet të dëshironte të jetonte në Kosovë nëse do zhvillohej sistemi ekonomik Socialist.
Anët negative të dukshme në shtetet socialiste janë zhvillimi ekonomik i ngadalësuar, mos dëshira e qytetarëve për të zhvilluar ndërmarrësi për shkak të kushteve jo te favorshme politiko-ekonomike dhe ulja e motivit nga bizneset e mëdha private për zhvillimin e mëtejshëm dhe fuqizimin e tyre. Ekonomia është shumë më komplekse se planifikimi që mund të vijë nga qendra, aty rritet tendenca e burokratizmit!
Socializmi është degë e marksizmit e komunizmit, shkakton dobësimin e të pasurve me idenë e fuqizimit të të varfërve, gjë e cila është e pamundur në një shtet në zhvillim, shteti nuk ka fuqi financiare për ndërtimin e strukturave socialiste.
Rrjedhimisht kjo na qon në një kolaps ekonomik ku të varfërit do të dobësohen akoma më shumë dhe të pasurit do të shkojnë në regres, do të ulet dëshira për të qëndruar në këtë vend në nivele të pakrahasueshme me çdo etapë migrimesh deri më tani!
Në Kosovë aktualisht shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit dhe punëdhënësit më të mëdhenj janë sektori privat!
Domosdoshmërisht pas këtij konstatimi publik nga ana ime për fuqinë reale qe posedon sektori privat në teren, lind kundërshtimi nga pala tjetër duke akuzuar sektorin privat për monopolizim të tregut, keqtrajtim, abuzim të punëtorëve dhe mos respektim të ligjit; këtu është pika ku është fuqizuar elektorati socialist, pa menduar për zgjidhje të problemit por me kërkesë për ndryshime rrënjësore!
E vetmja zgjidhje për mos kënaqësitë e formuara nga kapitalizmi në vend, është fuqizimi i ligjit, sundimi i ligjit, formimi i politikave të duhura pro sektorit privat, mbrojtjes së punëtorëve dhe pro mbrojtjes së qytetarëve me programe sociale brenda sistemit demokratik!
Me këtë formulë bizneset ekzistuese rriten dhe formojnë politika pro-sociale brenda strukturave të tyre, shteti ndihmon shtresat sociale me programe adekuate dhe rinia fuqizohet duke rritur shpirtin e ndërmarrësisë brenda tyre me shembullin e sektorit privat të zhvilluar dhe funksional!