Bylbyl Sokoli nuk është më trajner i skuadrës së Llapit. Lajmin për shkarkimin nga posti i trajnerit, Sokolit nuk ia ka dhënë kryesia e klubit nga Podujeva, por futbollistët dhe stafi i tij.
Kështu ka thënë vetë Sokoli të mërkurën mbrëma për gazetën, duke shtuar se nuk e di arsyen e shkarkimit të tij, shkruan sot Koha Ditore.
Sokoli ka disa ditë që nuk ka qenë në stërvitje, pasi të shtunën e shkuar është sulmuar para banesës së tij në Prishtinë, për çka ka qenë i detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore. Te Llapi askush nuk ka folur në lidhje me shkarkimin e Sokolit.
Drejtori i klubit, Tahir Batatina i është lajmëruar gazetës, por ka kërkuar që të kontaktohet më vonë, duke insistuar se është në një takim. Më vonë, ai nuk është lajmëruar fare.
“Shkarkimi më është kumtuar nga futbollistët dhe bashkëpunëtorët. Ata më kanë thënë se unë nuk jam më trajner i Llapit. Nuk e di arsyen e shkarkimit dhe nuk mund të them asgjë më tepër”, tha Sokoli të mërkurën mbrëma.
Llapi as në faqen e vet në “Facebook” nuk ka shkruar asgjë.