Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e vlerësoi paraqitjen e Manchester Unitedit në pjesën e parë të ndeshjes kundër Manchester Cityt në Carabao Cup si paraqitjen më të keqe të skuadrës së tij.
Manchester City e dominoi pjesën e parë të gjysmëfinales së parë të Carabao Cup në Old Trafford, ku Bernardo Silva dhe Riyad Mahrez e kaluan skuadrën e Pep Guardiolës në epërsi, para se rezultatin ta thellonte një autogol e Andreas Pereiras.
Marcus Rashfordi arriti ta zvogëlojë epërsinë e Cityt në pjesën e dytë të ndeshjes me një gol për Manchester Unitedin, që tani do ta vizitojë Etihadin më 29 janar me shpresën për ta përmbysur rezultatin 3:1.
Solskjaer s’ishte aspak i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, duke e cilësuar si më të keqen që nga ardhja e tij në Old Trafford.
“Nga goli i tyre e deri në fund të pjesës së parë, ishte paraqitja më e keqe që e kemi bërë ndonjëherë. Para golit të parë, të dy skuadrat mund të kishin shënuar, por tani kjo s’ka rëndësi”, ka thënë Solskjaer.
“Tani duhet të përqendrohemi në ndeshjen e së shtunës. Pas asaj pjese të dytë, ne kemi arsye për të besuar për ndeshjen kthyese”.
Djajtë e kuq ishin duke pësuar disfatë me rezultat 3:0 kur përfundoi pjesa e parë e ndeshjes të së martës. Kjo ishte hera e parë që ata i pësuan tri gola në shtëpi gjatë pjesës së parë që nga maji i vitit 1997, kundër Middesbrough.