Ole Gunnar Solskjaer ka bërë të ditur se nuk do ta përzë qendërmbrojtësin e Liverpoolit, Virgil van Dijkun nga shtëpia e tij, pasi u emërua trajner permanent i Manchester Unitedit.
Trajneri norvegjez, i cili iu bashkua Manchester Unitedit më 19 dhjetor si trajner i përkohshëm, nënshkroi dje kontratë trevjeçare, pasi arriti të sigurojë rezultate mjaft të mirë me “Djajtë e kuq”.
Planet e 46-vjeçarit për t’u shpërngulur në shtëpinë të cilën e kishte blerë para 12 vjetëve, në sezonin e tij të fundit si futbollist i Manchester Unitedit, por Van Dijku ka qenë duke jetuar aty që kur u transferua në Liverpool nga Southamptoni në janar të vitit 2018.
Edhe pse Solskjaer është i emocionuar që më në fund do të kthehet në shtëpinë e tij në Cheshire, në konferencën për shtyp të mbajtur dje, ai insistoi se nuk do ta detyronte Van Djikun të largohej nga ajo shtëpi para se të përfundojë kontrata e tyre.
I pyetur nëse i ka kërkuar Van Dijkut të largohet nga ajo shtëpi, Solskjaer u përgjigj: “Jo, nuk ia kam kërkuar këtë gjë. Ne e kemi një kontratë”.
Familja e Solskjaerit ka qenë duke jetuar në Norvegji sepse ish-sulmuesi legjendar i “Djajve të kuq” ishte vetëm përkohësisht në pozitën e trajnerit në “Old Trafford”, por ai i ka thënë televizionit zyrtar të klubit se familja do të ribashkohet së shpejti.
“Ne me të vërtetë i kemi shijuar tetë vjetët e fundit në Norvegji. Do të jetë një ndryshim i madh për ta, por ne jemi të emocionuar”, u shpreh Solskjaer.
“Për gjashtë muajt që unë isha emëruar si trajner i përkohshëm, ne si familje ishim marrë vesh që të jetonim ndaras pasi që nuk kishte nevojë që edhe ata të shpërnguleshin. Kjo gjë ka ndryshuar tani dhe ne do të jetojmë bashkë”.
“Ne e ndërtuam një shtëpi, ose më mirë të them që unë e kisha nisur atë në vitin 2017 dhe ndoshta në vitin 2019 do të mund të shpërngulemi, mirëpo ky është plani afatgjatë”.
Manchester Unitedi i ka fituar 14 nga 19 ndeshjet e zhvilluara që kur Solskjaer u emërua në pozitën që më parë e mbante Jose Mourinho. Ai ia ka ngjallur tifozëve shpresat për kualifikim në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm dhe i ka gëzuar ata me triumfin ndaj PSG-së.