Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka konfirmuar se Alexis Sanchez do të kthehet te Djajtë e Kuq në qershor, kur do t’i përfundojë periudha e huazimit në Serie A me Interin.
Drejtuesit e Manchester Unitedit kanë vendosur në takimin e fundit se Alex Sanchezit do t’i jepet edhe një mundësi në Old Trafford, kur t’iu kthehet futbollisti nga Interi në qershor të këtij viti, transmeton Gazeta Express.
DailyStar raportoi sot se drejtori ekzekutiv i Manchester Unitedit, Ed Woodward, ua ka bërë të qartë Sanchezit dhe agjentëve të tij se ai nuk do të lejohet të transferohet në mënyrë permanente në San Siro ose diku tjetër, pasi t’i përfundojë periudha e huazimit në Inter.
Tani, këtë lajm e ka konfirmuar edhe trajneri Solskjaer i cili insistoi se kiliani ka ende të ardhme në klubin anglez.
“Alexis do të kthehet verës dhe do t’ua dëshmojë kundërtën të gjithë juve kritikëve”, tha Solskjaer.
Sanchezi do të kthehet në qershor në Old Trafford dhe pastaj do të udhëtojë me skuadrën e Manchester Unitedit për turneun parasezonal, në mënyrë që të integrohet sa më mirë në skuadrën e Ole Gunnar Solskjaerit.
Ky lajm i ka befasuar shumë tifozë të Manchester Unitedit, të cilët kishin besuar se huazimi në Inter ishte fundi i karrierës zhgënjyese të Sanchezit me klubin e Djajve të Kuq.
Pasi ishte bërë lojtari me pagën më të lartë në Premierligë, Sanchezi pritej t’i ndihmonte Manchester Unitedit të fitonte tituj të mëdhenj sërish. Mirëpo, ai dështoi në këtë tentim dhe i shënoi vetëm pesë gola në 45 paraqitjet e tij.
Manchester Unitedi kishte dashur aq shumë ta largonte atë nga skuadra, saqë e dërgoi në Inter për këtë sezon në formë huazimi, duke pranuar edhe t’ia paguajnë kilianit më shumë se gjysmën e pagës.