Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka zbuluar se çfarë iu kishte thënë lojtarëve të tij në zhveshtore pas pjesës së parë, për t’i frymëzuar ata ta mposhtin Atalantën nga 0:2 në 3:2 të mërkurën në Ligën e Kampionëve.
Atalanta e krijoi një epërsi të hershme prej dy golave në pjesën e parë në Old Trafford, falë golave nga Mario Pasalic dhe Merih Demiral, raporton Gazeta Express.
Por djajtë e kuq ia dolën të riktheheshin nga humnera, duke i shënuar tri gola në pjesën e dytë përmes Marcus Rashford, Harry Maguire dhe Cristiano Ronaldo.
Pas ndeshjes, Solskjaer zbuloi se çfarë iu kishte folur futbollistëve të tij për ta frymëzuar rikthimin.
“Në pushim mes pjesëve, iu thashë atyre se na duhet një gol, sepse pastaj do ta fitonim ndeshjen. Isha i sigurt se do ta fitonim ndeshjen nëse nuk do të pranonim gol tjetër. E rëndësishme ishte t’i shfrytëzonim rastet”, tregoi Solskjaer.
Falë kësaj fitoreje me mund, Unitedi tani është lider i Grupit F me gjashtë pikë, i ndjekur nga Atalanta dhe Villarrealit me nga katër pikë.
Young Boys është në vendin e fundit me vetëm tri pikë.