Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian sot, me shumicë votash, ka miratuar raportin për përparimin e Kosovës dhe kështu është bërë edhe një hap drejt heqjes së regjimit të vizave.
Për miratimin e raportit kanë votuar 42 anëtarë të Komitetit, 10 kanë qenë kundër, ndërsa 6 të përmbajtur, transmeton Koha net.
Raportuesi i Parlamenti Evropian për Kosovën Igor Soltes, siç përcjell FoNet, ka deklaruar të jetë i kënaqur se Kosova është shumë afër heqjes së vizave gjë që do t’i mundësojë që me tërë shpejtësinë niset drejt shoqërisë moderne.
“Kjo të arrihet, e domosdoshme është lufta e përhershme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha përpjekjet duhet drejtuar nga sigurimi i ambientit afarist dhe përforcimi i gjyqësorit të pavarur”.
Sipas fjalëve të Soltesit, raporti në përgjithësi është pozitiv por njëkohësisht nuk kanë munguar kritikat kur bëhet fjalë për fushat ku duhet bërë përparim.