Sulmuesi jug-korean i Tottenhamit, Son Heung-min do të paraqitet në marinën e vendit të tij për kamp ushtarak më vonë këtë muaj, për të kryer detyrimet ushtarake, shkruan agjencia AFP.
Gjithë jug-koreanët me aftësi të plota fizike janë të obliguar të përfundojnë një shërbim të detyrueshëm ushtarak për afro dy vjet.
Por, karriera e Sonit ka shpëtuar pa u shkatërruar nga ky shërbim, pasi ai me Korenë e Jugut fitoi medaljen e artë në Lojërat e Azisë të vitit 2018 në Indonezi, duke siguruar kështu përjashtim nga shërbimi ushtarak.
Ylli i Tottenhamit kishte shpërthyer në lot pas fitores 2:1 pas lojës shtesë ndaj Japonisë në finale. Kjo nënkuptoi se ai duhet të kryejë thjeshtë një ushtrim bazë stërvitore prej tri javëve dhe rreth 500 orë shërbim komuniteti.
Stinori në Premier League për jug-koreanin 27-vjeçar përfundoi edhe para përhapjes së koronavirusit në Evropë, kur theu dorën në ndeshjen kundër Aston Villas më 16 shkurt.
Tottenhami pak ditë më parë njoftoi se Son është kthyer në Kore të Jugut për shkaqe personale.
Son do të paraqitet në kampin ushtarak në ishullin Jeju më 20 prill për ushtrimet bazë, është njoftuar nga agjencia jug-koreane “Yonhap”.
Ai ka postuar të mërkurën foto duke ushtruar në atë që dukej si një ballkon i madh, duke bërë kërcime e zgjatje.
Stinori në Premier Leaguen e Anglisë është i pezulluar së paku deri më 30 prill për shkak të pandemisë, por me gjasë do të shtyhet edhe më tepër kur aksionarët e futbollit në Angli do të takohen të premten.
Son këtë edicion në 32 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 16 gola dhe asistuar nëntë tjerë. Kontrata e tij me Tottenhamin skadon në verën e vitit 2023.
Ai te klubi anglez u transferua nga Bayer Leverkuseni në verën e vitit 2015 për 30 milionë euro.