Sondazhet në favor të Bidenit para debatit të parë me Trumpin

Prishtinë | 29 Sht 2020 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Pas muajve të tërë me akuza e sulme, republikani Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, Joe Biden, do të ballafaqohen në debatin e parë presidencial në Kllevelland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky do të jetë shansi i fundit i Trumpit për ta kthyer garën presidenciale në favorin e tij, megjithëse sondazhet e fundit e paraqesin atë prapa demokratit Biden.

I ballafaquar me kritika për një sërë politikash, Trumpi dhe rivali i tij Biden do të debatojnë të martën për një sërë çështjesh, përfshirë pandeminë që ka lënë mbi 200 mijë të vdekur në SHBA.

Por pika më e nxehtë e debatit pritet të jetë zbulimi më i fundit i “New York Times”-it se presidenti amerikan ka paguar vetëm rreth 750 dollarë gjatë viteve 2016 dhe 2017, ndërsa në 10 nga 15 vjetët e fundit ka shmangur tërësisht taksat.

Zbulimi mund t’i ofrojë Bidenit një shans për t’u paraqitur si figura më e denjë për Shtëpinë e Bardhë. Por edhe para kësaj sondazhet e kanë paraqitur Bidenin në epërsi të vazhdueshme ndaj Trumpit.

Një anketë e fundit ka treguar se demokrati udhëheq me dhjetë për qind të pikëve para republikanit, në shumicën e shteteve vendimtare.

Të ngjashme