Sondazhi i Pyper: Gatishmëria e kosovarëve për të ofruar ndihmë në Shqipëri

Prishtinë | 28 Nën 2019 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Tërmeti në Shqipëri që shkaktoi viktima e shumë dëme materiale ka reflektuar lidhje të forta mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Institucione, biznese dhe qytetarë të Republikës së Kosovës kanë ofruar ndihma materiale, financiare dhe vendstrehim për familjet nga Shqipëria. Andaj, për të matur gatishmërinë e qytetarëve për të ofruar ndihmë, Pyper ka realizuar një sondazh në të cilin kanë marrë pjesë 1089 pjesëmarrës anembanë Kosovës.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë një gatishmëri mjaft të lartë të kosovarëve për t’i ndihmuar familjet në Shqipëri duke qenë të gatshëm të ofrojnë ndihma shtesë siç janë ndihmat materiale, mjetet financiare, gatishmëria për të ofruar vendstrehim dhe për të shkuar në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tyre.

Vlen të ceket se prej të gjithë pjesëmarrësve, 35.66% e tyre kanë ofruar ndihma materiale për shtetasit e Shqipërisë, pra veshmbathje, produkte ushqimore etj., ndërkaq 33.46% kanë pohuar se përkundër se ende nuk kanë ofruar ndihma materiale, planifikojnë të ofrojnë ndihma në të ardhmen.

Po ashtu, përveç ndihmave materiale, 22.87% e pjesëmarrësve kanë deklaruar se deri më tani kanë ofruar mjete financiare për familjet në Shqipëri. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se 34.44% e pjesëmarrësve që deri më tani nuk kanë ofruar ndihma financiare janë deklaruar të gatshëm të ofrojnë ndihmë financiare.

Po ashtu vlen të përmendet se 12.21% e pjesëmarrësve kanë qenë në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tyre prej të cilëve 6.98% synojnë të shkojnë përsëri në Shqipëri. Ndërkaq shumë prej pjesëmarrësve që nuk kanë qenë ende në Shqipëri për të ofruar ndihmë planifikojnë të shkojnë së shpejti (43.53%).

Përpos ndihmave financiare dhe materiale, deri më tani vetëm 5.51% e pjesëmarrësve janë duke strehuar ndokënd nga Shqipëria, ndërsa 62.9% janë shprehur të gatshëm të strehojnë në shtëpitë e tyre ndonjë familje nga Shqipëria.

Siç është cekur më lart, shumë biznese dhe qytetarë të Republikës së Kosovës kanë ofruar ndihma financiare dhe materiale.

Këto ndihma të ofruara nga Kosova konsiderohen nga ¾ e pjesëmarrësve si të mjaftueshme ndërkaq më pak se gjysma e pjesëmarrësve (45.18%) i konsiderojnë si të pamjaftueshme.

Si shumë qytetarë që kanë kontribuar për familjet në Shqipëri edhe qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro nga buxheti i shtetit. Kjo shumë është konsideruar e mjaftueshme për 36.36% të pjesëmarrësve, ndërsa 26.45% kanë deklaruar se kjo shumë është e pamjaftueshme./Telegrafi/




Të ngjashme