Prishtinë, 4 tetor – Me “Le Corsaire” janë sfiduar balerinët kosovarë në kohën kur po punojnë në kushte të vështira e që janë duke u bërë gati për prezantim para audiencës nordike. Koreografi kubano-amerikan Israel Rodriguez është rikthyer në Kosovë për ta inskenuar shfaqjen e njohur që në origjinal zgjat 2 orë e gjysmë. E në versionin e Baletit Kombëtar të Kosovës është përshtatur në 45 minuta.
Premiera e shfaqjes do të jepet sonte (e enjte) në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Le Corsaire” është balet tipik, me libreto, që në origjinal qe krijuar nga Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges, bazuar në poemën “The Corsair” të Lord Bajronit. Për të parën herë ishte realizuar nga koreografi Joseph Mazilier me muzikë të Adolphe Adam.
Një ditë para premierës, në një konferencë për media, koreografi Israel Rodriguez ka thënë se kur kishte ardhur për të parën herë në Kosovë ishte përballur me telashet me të cilat ballafaqohet arti në vend dhe është mahnitur me mënyrën sesi drejtori i BKK-së Ahmet Brahimaj i ka mbështetur atë dhe të gjithë balerinët. Me BKK-në, më 2012 ai realizoi “Don Kishotin” e një vit më vonë “Liria ime”. U rikthye me “Spartacus”, që u dha premierë në tetorin e vitit 2015