Sonte nata fundit e “Chopin Piano Fest”, përfaqësuesit të pakënaqur me mungesën e sallës koncertale

Prishtinë | 28 Pri 2019 | 15:10 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Filarmonia e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e festivalit “Chopin Piano Fest” kanë mbajtur konferencë për media ku kanë njoftuar për natën e fundit të këtij festivali dhe kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me mungesën e një salle koncertale e cila sipas tyre është esenciale për zhvillimin e kulturës në vend, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tha se po ka frikë që përcaktimi i sallës koncertale nuk do ndodhë as këtë vit.

“Sonte Filarmonia e Kosovës do mbajë koncertin e mbrëmjes i cili është realizuar në bashkëpunim me festivalin “Chopin Piano Fest” dhe falënderojmë ata që kësaj radhe ka sjellë dy muzikantë të veçantë. Ka mbetur ende në diskutim përcaktimi i lokacionit dhe po kam frikë që po dështon ky plan, më nuk dimë çka të themi ku në çdo aktivitet tonin potencojmë mungesën e sallës koncertale dhe për ne është e sikletshme kur vijnë dirigjent të shkëlqyer dhe na vjen turp kur hyjnë për herë të parë këtu brenda dhe shohin që kjo fare nuk është sallë koncertale”, tha ai.

Jashari u shpreh se institucionet duhet ta kenë prioritet kulturën.

“Siç duket ende nuk është arrit ajo masa kritike në politikë që duhet pasur prioritet në kulturë. Shkuan 10 vite dhe shpesh ndodhë që edhe kjo sallë e kuqe shpesh është e nxënë me termine e aktivitete tjera dhe ne shpesh jemi në stres”, tha ai.

Njëjtë si Jashari, po mendon edhe dirigjenti i njohur austriak, Stefan Vladar, i cili këtë vit ka ardhur nga Austria për të performuar në natën e fundit të “Chopin Piano Fest”. Ai shprehet se një shtet i ri si Kosova duhet ta mbështesë kulturën në formën adekuate.

“Vitin e kaluar erdhëm këtu në “Chopin Piano Fest” ku luajtëm së bashku me bashkëshorten time, dhe me që na pëlqeu shumë mirëpritja njerëzit dhe festivali atëherë biseduam që herën tjetër të vijmë për të luajtur dhe për të dirigjuar. Ishte shumë kënaqësi për mua të pranoj ftesën e filarmonisë dhe të vij me punu në një mënyrë më ndryshe se si jam mësuar të punoj jam i sigurt që do jetë një koncert shumë i bukur dhe do kënaqet audienca dhe muzika duhet të krijojë një atmosferë të veçantë”, tha ai.

Vladar shton se shoqëria duhet ta kuptojë që kultura është e nevojshme aq sa uji dhe buka.

“Të gjithë e dimë që kushtet janë të vështira dhe vendi ku filarmonia mban provat është shumë i varfër sa i përket kushteve, por një gjë duhet të dihet se me qenë shtet i ri dhe modern duhet që kulturën ta mbështesë në formën adekuate, në një qytet si ky të gjithë duhet ta kuptojnë që kultura është e nevojshme sa ushqimi dhe uji dhe nuk ka alternativë tjetër përveç që institucionet duhet të krijojnë kushtet’, tha Vladar, raporton EO.

Drejtoresha artistike e festivalit “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, tha se edhe orkestra por edhe publiku që do jetë i pranishëm sonte në natën e fundit të festivalit, do marrin energji dhe impulse të reja nga dirigjentët e huaj që sonte janë mysafir të festivalit.

“Kjo traditë ka qenë e bukur dhe e kemi mbështetur gjithmonë artistë të rijnë me rastin 19-vjetorit të këtij festivali jam e lumtur që maestro dhe pianisti me famë botërore dhe dirigjent i shkëlqyeshëm, Stëfan Vladar, ta kemi këtu në mesin tinë e falënderoj maestron që është shok me ne, orkestra merr një energji pozitive dhe impulse të reja nga dirigjentët shumë të njohur jam e lumtur për këtë gjë dhe besoj që publiku do ta shijoj jashtë mase”, tha Pula.

Ndërsa drejtoresha organizative, Besa Luzha, tha se artistët tanë janë një komunitet i përbashkët që synim kanë ti ofrojnë publikut vlera të mirëfillta artistike.

“Ftojmë edhe institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi të ketë mbështetje në përkrahjen e talenteve të rinj sepse jemi një komuniteti i përbashkët që synim e kemi me i ofru publikut vlera të mirëfillta artistike.”

Ndryshe, sonte festivali “Chopin Piano Fest”, përmbyllë edicionin e dhjetë me radhë, ku para publikut shqiptar pritet të performojnë, dirigjenti i njohur austriak, Stefan Vladar, si dhe tenori shqiptar, Josif Gjipali.

Të ngjashme