Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar se ofensiva në veri të Sirisë do të vazhdojë edhe më ashpër kundër forcave kurde të YPG-së, nëse nuk tërhiqen deri në afatin e paraparë të armëpushimit.
“Afati përfundon sonte në ora 22:00. Nëse premtimet e amerikanëve nuk përmbushen, operacioni ushtarak do të vazhdojë me intensitet të shtuar”, ka deklaruar Erdogan derisa po bëhej gati të udhëtonte për në Rusi, ku pritet të takohet me homologun Vladimir Putin, transmeton Telegrafi.
Erdogan ka bërë të ditur se deri më tani janë tërhequr nga zona e sigurisë, rreth 800 luftëtarë kurdë dhe se edhe 1,300 tjerë pritet të largohen nga kjo zonë.
Pas bisedimeve disa orëshe mes SHBA-së dhe autoriteteve turke, ishte arritur marrëveshje armëpushimi në veri të Sirisë, më saktësisht 120 orë armëpushim, por sot kur ky afat pritet të skadojë Erdogan do të bisedojë me presidentin rus për të ardhmen e Sirisë.
Ky armëpushim ishte arritur për t’i dhënë kohë forcave kurde që të tërhiqen nga verilindja e Sirisë, derisa forcat kurde dhe ato turke prej asaj kohe kanë akuzuar njëra-tjetrën se kanë shkelur armëpushimin. /Telegrafi/