Kombëtarja e Shqipërisë e zhvillon sonte (e premte) ndeshjen e fundit miqësore para Kampionatit Evropian “Euro 2024”. Kuqezinjtë përballen me Azerbajxhanin në stadiumin “Haladas Sportkomplexum” në Hungari nga ora 19:00. Trajneri Sylvinho ka thënë se në këtë miqësore do t’i jep më shumë hapësirë lojtarëve që kanë pasur pak minuta në dispozicion.
“Ne jemi duke zhvilluar përgatitjen për Evropianin dhe kishim në program dy miqësore. Është një proces pune shumë i shpejtë për ne, për stafin teknik, për lojtarët. Nuk është se kemi pasur 3-4 javë në dispozicion për t’u përgatitur për Evropianin. Kemi 7 ditë që stërvitemi, mes tyre janë edhe miqësoret. Ne po përgatitemi për ndeshjen me Italinë, por nuk mund të them si do të jetë skuadra, kush do të jetë Shqipëria në atë ndeshje. Kemi edhe pak ditë kohë deri në ndeshjen me Italinë dhe mbetet për t’u parë si do të vijnë gjërat deri në atë moment. E rëndësishme është që në ndeshjen me Azerbajxhanin t’u japim mundësinë lojtarëve, sidomos atyre që nuk kanë luajtur shumë minuta, të provojmë sa më shumë gjëra të reja. Është një proces shumë dinamik, shumë i shpejtë për Kombëtaren. Këto miqësore na japin një mundësi të shohim se ku jemi dhe do na ndihmojnë shumë që të përgatitemi se ku jemi”, ka thënë Sylvinho, i cili foli edhe për ndeshjen e parë në Evropian ndaj Italisë: “Italia është skuadra kampione në fuqi e Evropës. Sigurisht që është një ndeshje shumë e vështirë. Po përgatitemi të përballemi si duhet me Italinë, një nga ekipet më të forta në Evropë dhe botë, ashtu sikurse Kroacia dhe Spanja që janë në grupin tonë. Është një grup shumë i fortë, shumë i bukur për Shqipërinë, për të gjithë ne, stafin, lojtarët. E rëndësishme është që ta shijojmë këtë pjesëmarrje të dytë në finalet e një turneu të madh si Evropiani, të provojmë të bëjmë më të mirën në turne”.
Në konferencë për medie ishte edhe sulmuesi Taulant Seferi, i cili u shpreh se ekipi po përgatitet dhe po punon shumë fort në këtë fazë përgatitore, siguroi se e gjithë skuadra do të japë maksimumin në finalet e Evropianit.
“Gjatë kësaj periudhe kemi punuar shumë fort, me intensitet të lartë me të gjithë stafin. Është krenari të jesh pjesë e Kombëtares, ndjesi shumë e mirë. Ajo çfarë ka më shumë rëndësi është që jemi të gjithë bashkë dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu dhe mezi po e presim Evropianin. Po punojmë fort”, ka deklaruar Seferi.