Gazeta zvicerane “SonttagsBlick” ka qëndruar në Prishtinë në kampin e KFOR-it, për të bërë një rrëfim lidhur me ushtarët zviceranë të KFOR-it e po ashtu lidhur me tensionet e fundit në Kosovë.
Gazeta zvicerane ka përshkruar “Camp Film City” në Prishtinë, bazën e KFOR-it, si “një qytet brenda kryeqeytetit të Kosovës”.
Ekipi i “SonntagsBlick” është pritur nga Xhetare Rexhaj, që është zyrtare për media e informim e kontingjentit të 48-të të Swisscoy.
Sipas gazetës zvicerane ka statistika të diskutueshme për numrin e ushtarëve të lënduar në trazirat në Zveçan më 29 maj. Raportohej për mbi 30 ushtarë të lënduar të KFOR-it. Por, një ushtar i KFOR-it që ka pritur ekipin e “SonttagsBlick” në aeroport ka folur për mbi 90 të lënduar nga personeli ushtarak.
“Shumë janë të mërzitur me politikanët, të cilët i fajësojnë për përshkallëzimin. Ata kanë ekspozuar forcat e sigurisë ndaj një rreziku të pashmangshëm”, ka shkruar gazeta “Sonntagsblick”.
Steffi Beeler 38-vjeçare, që drejton Qendrën Mjekësore, në bazën e KFOR-it, ka treguar për tmerrin kur është dashur të trajtojë kolegët e lënduar nga trazirat.
“Ishte mjaft e rëndë të trajtoheshin kolegët e lënduar. Ishte e tmerrshme. Tash e kemi të qartë se çfarë do të thotë të jesh në një zonë tensioni”, tha Beeler.
Ndërkohë Christoph Lisibach, nga kontingjenti zviceran i KFOR-it, ka treguar se si atij i bie që të dalë çdo ditë nga baza, pasi është në ekip ndërlidhës e monitorues. Ai viziton çdo ditë fshatrat përreth Prishtinës.
“Pothuajse të gjithë që takojmë janë të lumtur me prezencën tonë. Serbët ndoshta janë pak më të ftohtë. Por, është paqësore. Mbi të gjitha, njerëzit këtu duan normalitet”, ka thënë Lisibach.
Aktualisht janë 195 pjesëtarë të ushtrisë zvicerane në misionin e KFOR-it në Kosovë. Parlamenti Zviceran ka rënë dakord ta rrisë prezencën për 30 tjerë.
“Për shkak të situatës aktuale, do të kishim detyra domethënëse për 30 persona tjerë”, thotë Raoul Barca, kolonel në Shtabin e Përgjithshëm dhe komandant i kontingjentit zviceran të KFOR-it.