Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, pritet që javën tjetër ta vizitojë Kosovën.
Ai pritet të qëndrojë në vendin tonë mes 18 dhe 19 marsit.
Kjo do të jetë vizita e parë e diplomatit danez në Prishtinë, i cili mori detyrën e emisarit për dialogun e Brukselit më 1 shtator të vitit të kaluar.
Këtë pozitë për gati pesë vjet e mbajti sllovaku, Miroslav Lajçak.
Sorensen do të vizitojë Kosovën për të përgatitur vazhdimin e procesit të dialogut në kuadër të së cilit për muaj nuk ka pasur lëvizje. Ndër temat e para që do të mund të diskutohen është zbatimi i deklaratës për të pagjeturit, për të cilën palët kishin rënë dakord, por takimi i fundit në Bruksel në nivel të ekspertëve kishte dështuar.
Nga ana tjetër përfaqësuesja e re e lartë e BE-së Kaja Kallas ka thënë para disa javësh që gjatë muajit mars do të shikojnë se si të ecet përpara në procesin e dialogut duke përmendur po ashtu edhe faktin se ka kritika ndaj formatit të deritashëm të këtij procesi.