Sorensen tha se marrëveshja me Serbinë vlen, Konjufca: S’ishte konceptuar pa nënshkrim, por megjithatë përmban angazhime

Prishtinë | 29 Qer 2026 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca e dëgjoi emisarin e Bashkimit Europian, Peter Sorensen të thoshte se Marrëveshja e Ohrit me Serbinë është valide dhe duhet të respektohet.

I pyetur për të komentuar fjalën e parafolësit në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut të shtunën, Konjufca theksoi se ajo marrëveshje nuk u nënshkrua.

“Sa i përket dialogut me Serbinë dhe marrëveshjes, mendoj se ne shpresuam se kishim një marrëveshje. Është e vërtetë që ajo nuk u nënshkrua. Ne ishim të gatshëm ta nënshkruanim”, tha ai.

Konjufca tha se kryeministri në detyrë tani, Albin Kurti kishte shprehur “qartë gatishmërinë e tij për ta nënshkruar këtë marrëveshje”.

“Por, mendoj se Serbia e refuzoi. Dhe pikërisht në atë moment edhe ndërmjetësuesit u përballën me nevojën për t’iu përshtatur kësaj situate të re. Sepse besoj se fillimisht, në mënyrë të sinqertë, marrëveshja nuk ishte konceptuar në këtë formë. Më vonë asaj iu dha statusi i një marrëveshjeje. Kështu, ajo mori më shumë formën e një lloj marrëveshjeje xhentëlmenësh. Megjithatë, ishte një marrëveshje që përmbante angazhime, edhe pse nuk ishte e nënshkruar, siç po e shpjegon z. Sorensen”, tha ai.

Kryediplomati kosovar tha se nuk ishin të kënaqur me këtë marrëveshje pa nënshkrim.

“Mendonim se duhej të ishte një marrëveshje ndërkombëtare, e cila do të vendoste detyrime të qarta dhe konkrete për t’u përmbushur. Në fund, ndërmjetësuesit thjesht e publikuan në faqen zyrtare të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Europian dhe thanë: ‘Kjo është marrëveshja dhe ju duhet ta zbatoni atë’”, tha ai.

Ndonjëherë, Konjufca tha se ka “marrëveshje të nënshkruara që nuk vlejnë për asgjë, sepse të dyja palët, ose njëra prej tyre, nuk kanë vullnet për t’i zbatuar”

“Dhe ndonjëherë ke marrëveshje që janë më tepër marrëveshje xhentëlmenësh. Merrni si shembull deklaratën mes Bashkimit Europian dhe Turqisë, e cila gjithashtu nuk ishte një kontratë në kuptimin formal, por funksionoi, të paktën për një periudhë”, tha ai.

Të ngjashme