SOS Fshati i Fëmijëve, ka njoftuar sot se gjatë ditës së premte, ata kanë martuar një vajzë e cila në Fshatin SOS kishte shikuar qysh e vogël.
Duke e quajtur ‘vajza jonë’, Fshati SOS njoftimin e ka bërë përmes Facebook-ut, duke i bashkëngjitur fotografitë e dasmës së saj, dhe duke e treguar mënyrën se si e kanë përcjellë atë me adete.
Njoftimi nga fshati SOS:
SOS Fshati i Fëmijëve është familja më e madhe në Kosovë dhe për këtë, Ne stafi, jemi shumë krenarë dhe e ruajmë këtë titull me shumë xhelozi.
Të premten kishim festë në SOS Fshat. Përcollëm njërën nga vajzat tona. Ajo erdhi te ne si e vogël me motrat e vëllanë dhe tani u rrit e u bë për martesë. E si ndryshe ta përcjellim vajzën tonë, veç se me të gjitha adetet e ritet që një familje organizon për fëmiun e saj.
Ishte ditë me shumë emocione, lumturi e dashuri, por para së gjithash krenari që përcjellim vajzën për një jetë të re bashkëshortore.
Si gjithmonë, i gjithë stafi i SOS Fshatit ishin shumë solidarë dhe të gatshëm për të organizuar një festë ashtu siç i ka hije një familje të madhe si SOS Fshati. Një falënderim i madh të gjithëve për përkushtimin dhe dhuratat që i përgatitën për vajzën tonë.
Një falënderim i veçantë shkon për Flutura Dedinja e cila me shumë kënaqësi dhuroi fustanin e nusërisë, Vjosa Dolcetto e cila përgatiti tortën e martesës, Gentli shoes dhe shumë e shumë të tjerëve të cilët me aq sa patën mundësi ndihmuan që vajza jonë të ketë një fillim të mbarë të kapitullit të ri të jetës së saj.
Paçin fat e ju priftë e mbara!