“Sot dhe çdo ditë tjetër”, Haxhiu thotë se gratë në Kosovë duhet të jetojnë pa asnjë detyrim dhe pa frikë

Prishtinë | 27 Nën 2024 | 13:06 | Nga Diellza Gashi

Në kuadër të aktiviteteve ditore të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, u bë shfaqja e tabelës “Sot dhe çdo ditë tjetër”, raporton Ekonomia Online.

Qytetarë e deputetë janë mbledhur për këtë fushatë, ku kanë pasur rastin të shkruajnë një mesazh në tabelë.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po ashtu ka shkruar një mesazh ku ajo u zotua se do të angazhohet për drejtësi, barazi dhe mirëqenien e vajzave dhe grave.

Sipas saj, qëllimi i kësaj fushate është avancimi i pozitës së gruas në shoqëri dhe adresimi i dhunës në familje e barazi gjinore.

“Po e shënojmë në kuadër të 16 vjetorit të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore në të cilin aktivitet jemi përveç me qytetarë e Kosovës po ashtu edhe me deputetë e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët kanë ardhur dhe i janë bashkuar këtij aktiviteti. Qëllimi i të njëjtit siç po e shihni është që sot dhe çdo ditë tjetër të shkruajmë mesazhe të cilat janë veprime që do ti ndërmarrim për avancimin e pozitës së gruas në shoqëri për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”, tha ajo.

Haxhiu ka folur për përkushtim e angazhim maksimal në mënyrë që vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës të jetojnë të lira dhe  pa asnjë detyrim pa asnjë frikë.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi aktivitete të tilla sensibilizuese dhe emancipuese me qëllim që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës ta kuptojnë saktë dhe drejtë që gruaja duhet të trajtohet me dinjitet dhe është e barabartë sikurse edhe burri, prandaj kërkohet përkushtim angazhim maksimal në mënyrë që vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës të jetojnë të lira pa asnjë detyrim pa asnjë frikë nga askush që ato të mos diskriminohen dhe të ketë barazi edhe në vendin e punës por edhe në shoqëri”, ka thënë Haxhiu.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë se çdo ditë duhet të parandalohet dhunës në familje e në baza gjinore.

“Me shumë përgjegjësi dhe obligim jemi bashkangjitur me Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjitha institucionet në 16 ditë të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore dhe konsiderojmë që jo vetëm në nivelim qendror por edhe në nivelin lokal dhe në të gjitha nivelet institucionale edhe në shoqërinë civile. Çdo ditë duhet të jemi për parandalimin e dhunës në baza gjinore, ajo me çfarë po ballafaqohemi pothuajse janë shifra të larta dhe të rritua të dhunës në baza gjinore por kjo në një formë trajnon këtu edhe ndërgjegjësimin dhe vetëdijen e grave dhe vajzave që të mos bashkëjetojnë me dhunën që të paraqesin atë”, tha ajo.

Sipas saj, si institucione shtetërore janë për të krijuar mekanizma mbrojtëse dhe parandalimi të dhunës.

“Ndërsa si institucione shtetërore jemi këtu për të krijuar mekanizmat jo vetëm të mbrojtjes dhe ruajtës natyrisht edhe rehabilitimit por edhe parandalimit. Andaj, kjo ditë dhe çdo ditë tjetër është ditë ku I tregojmë secilës vajzë të vogël se edhe pse është vajzë nuk ka më pak të drejta, secilës grua e cila anashkalohet, secilës grua që i mohohet një e drejtë ti thuhet se duhet ta kërkojë atë të drejtë de bashkë jemi më të forta e natyrisht se të kërkojmë edhe aleanca edhe me gjithë djemtë dhe burrat për arsyeje se vetëm një shoqëri e përparuar është ajo shoqëri ku të drejtat e të gjithëve respektohen njëjtë pa dallim”, tha Kusari Lila.

Të ngjashme