Sot dhe nesër bëhet sistemimi i të prekurve nga tërmeti nëpër hotelet e Durrësit

Prishtinë | 27 Nën 2019 | 18:43 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Turizmit në Shqipëri, Blendi Klosi, ka bërë të ditur se po punojnë vazhdimisht për t’ju mundësuar strehimin të prekurve nga tërmeti që goditi dje Shqipërinë.

Në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, Klosi tha se po përballen me një gjendje mjaft kaotike dhe se po mundohen që t’i strehojnë të gjithë të prekurit nga tërmeti.

“Kemi prej dy ditësh që asistojmë me problematikat që janë shumë të mëdha. Duam t’i sistemojmë të gjithë personat që kanë ngelur pa kulm mbi kokë”.

“Ka një solidaritet shumë të madh nga hotelet në Durrës për t’i strehuar ata. Kjo është një zgjidhje e momentit, ne nuk mund të parashikojmë çka ka parashikuar perëndia. Në situatën që jemi duam të ofrojmë një strehim të ngrohtë dhe ushqim për të prekurit”.

“Kampi i ngritur është një situatë vetëm për 24 orë. Besoj që çadrat do të largohen sepse duam që t’ju ofrojmë një sistemim nëpër hotele. Kemi ngritur një grup të madh vullnetarësh që po bëjnë regjistrimin e të gjithë atyre që kanë nevojë për strehim”.

“Sot dhe nesër do të  zhvillohet procesi i sistemimit nëpër hotele”.

Klosi shprehu falënderime për të gjithë që i kanë dalë në ndihmë Shqipërisë në këto momente të vështira, në veçanti vullnetmirët dhe forcat e sigurisë nga Kosova.

Ai tha se hapat që do të ndërmerren në vijim janë përcaktimi i shtëpive të pabanueshme dhe vendosja e këtyre njerëzve në zona të sigurta, më pas do të bëhet vlerësimi i dëmeve nga ekspertë të inxhinierisë.

Të ngjashme