Kosova në zi Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe, Nexhmije Pagarusha, ka vendosur që 9 shkurti të shpallet ditë zie shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ky vendim vjen në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për artisten Nexhmije Pagarusha, e cila i dha vlera të përjetshme kulturës dhe artit tonë kombëtar. Në pajtim me legjislacionin në fuqi, këtë të diel flamuri shtetëror ngritet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Varrimi i Nexhmije Pagarushës do të bëhet sot në orën 14:30 në fshatin Pagarushë të Malishevës, në një ceremoni familjare sipas amanetit të saj të fundit.
E pas varrimit, e pamja do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera deri më datë 11.02.2020 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, nga 8:00 deri në 17:00. Bilbili i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha ka ndërruar jetë të premten në moshën 86-vjeçare.