Sot do të mbyllet xhiroja e pestë e Superligës me këtë ndeshje

Prishtinë | 16 Sht 2024 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Sot do të mbyllet xhiroja e pestë e Superligës së futbollit.

Të shtunën dhe të dielën u zhvilluan katër ndeshje, ndërsa sot, duke filluar nga ora 15:00 do të përballen Gjilani me Feronikelin 74.

Në fakt, bëhet fjalë për një duel mes skuadrash që e mbyllin tabelën dhe që nuk e kanë shijuar ende fitoren.

Gjilanasit i kanë dy barazime e dy humbje, duke përfunduar në vendin e parafundit me dy pikë.

Kurse, skuadra nga Drenasi e nisi sezonin e ri në mënyrë katastrofike me katër humbje nga po aq ndeshje, pra pa pikë në katër sfidat e para.

Sot, të dy ekipet do të mundohen t’ia bëjnë sefte, me gjilanasit që shihen si favoritë për të fituar ndaj kundërshtarit, i cili duket se sivjet është i pafuqishëm dhe kështu rrezikon të bie nga liga nëse vazhdon me formë të tillë të zbehtë.

Në fundjavë, Ballkani e mposhti Prishtinën në derbi, njëjtë si Llapi që fitoi kundër Dritës në frymën e fundit, në ndeshjen tjetër derbi të kësaj xhiroje.

Malisheva e vazhdoi formën solide duke fituar në udhëtim kundër Dukagjinit, ndërsa mrekullia Suhareka fitoi në udhëtim ndaj Ferizajt për të kryesuar në tabelë me pikë të njëjta me Ballkanin e Malishevën.

Superliga e futbollit u rikthye në fundjavë pas pushimit prej dy javësh shkaku i angazhimit të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve. “Gazeta Express”.

Të ngjashme