Gjashtë të hëna radhazi në Kosovë, duke filluar nga 11 prilli deri më 9 maj, ishin ditë pushimi, në bazë të Ligjit për festa zyrtare.
Të shtunën, më 9 prill, u shënua Dita e Kushtetutës së Kosovës, por ditë pushimi ishte e hëna, më 11 prill.
Të dielën, më 17 prill, u festuan Pashkët Katolike, ndërsa u pushua të hënën më 18 prill.
Të dielën, më 24 prill, ishit Pashkët Ortodokse – e hëna pasuese ishte ditë pushimi, më 25 prill.
Qeveria e Kosovës, pati lëshuar vendim për muajin prill për 3 të hëna pushim.
Por edhe muaji maj vjen me festa të tjera.
Të dielën, më 1 maj, është Dita Ndërkombëtare e Punës; të hënën, më 2 maj, është ditë pushimi.
Të hënën, më 2 maj, është edhe dita e parë e Bajramit të Madh, ndërsa për të pushim është edhe më 3 maj.
Të hënën, më 9 maj, është po ashtu pushim, pasi shënohet Dita e Evropës.
Në bazë të ligjit, “kur ditët e festave zyrtare bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi janë ditët pasardhëse të punës – dita e hënë”.
Ligji për festat zyrtare në Kosovë, i miratuar në vitin 2008, mbulon 11 festa dhe respektohet nga institucionet publike, por jo edhe të gjitha bizneset e sektorit privat.
Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare, përkatësisht heqjen e disa festave zyrtare dhe ndalimin e bartjes së festave nga fundjava në ditë pune, e kanë kërkuar disa herë edhe deputetë të partive më të mëdha politike në Kuvendin e Kosovës, por deri tash nuk është bërë asnjë ndryshim.
Ligji ka hyrë në proces të ndryshimit dhe ka kaluar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, por të vetmin ndryshim që përmban është përfshirja edhe e një feste tjetër: Ditës së komunitetit egjiptian, që shënohet më 24 qershor.
Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj, janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.