13 shtatori është Dita Ndërkombëtare Çokollatës produkti që ka joshur ndër shekuj njerëzimin.
Pikë së pari, ajo që duhet të dini është se emërtimi çokollatë vjen nga pija Xocóatl, e cila prodhohej nga astekët dhe s’ishte gjë tjetër veçse një përzierje e ujit me kakao dhe vanilje.
Nga studiues të ndryshëm besohet se bima e kakaos e cila është baza kryesore e çokollatës, ka qenë e pranishme mbi 6000 vjet më parë në lumenjtë Amazona dhe Orinoko.
Ajo mundi të bëhej e njohur për qytetërimin evropian në vitin 1502 kur Kolombi, përgjatë udhëtimeve të tij, mbërriti në Honduras dhe provoi pijen me bazë kakaoje. Më pas, në shek. XVII ajo u kthye në luksin e aristokracisë europiane.
Koha rrodhi dhe magjia e çokollatës përfshiu rangje të ndryshme shoqërore duke u shndërruar në fare pak kohë, në një produkt global.
Çokollata ka dhe disa përfitime shëndetësore dhe këshillohet të konsumohet çokollata e zezë sepse ajo është më e shëndetshmja.
1.Çokollata mbron nga hemoragjia cerebrale
Nga një studim suedez i vitit 2011, rezultoi se femrat që konsumojnë më shumë se 45 gramë çokollatë në javë kanë 20% më pak mundësi të preken nga hemorragjia cerebrale sesa femrat që konsumojnë më pak se 9 gramë çokollatë.
2.Çokollata përmirëson funksionimin e zemrës
Një nga arsyet përse çokollata e zezë është veçanërisht e shëndetshme për zemrën është aftësia e saj për të luftuar inflamacionin. Kjo redukton dhe rreziqet kardiovaskulare.
3.Çokollata lufton diabetin
Nga një studim italian i vitit 2005, rezultoi se ngrënia e rregullt e çokollatës rrit prodhimin e insulinës, duke reduktuar kështu rrezikun e diabetit.
4.Çokollata mbron lëkurën
Harrojini ato që keni dëgjuar se çokollata ju shkakton akne. Çokollata e zezë në fakt ju bën mirë për lëkurën. Antioksidantët flavonoidë që gjenden te çokollata e zezë, ju ofrojnë mbrojtje nga rrezet ultravioletë të diellit. Por kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë nga kremi mbrojtës.
5.Çokollata përmirëson humorin
Nuk mund ta mohoni që ngrënia e ëmbëlsirave ju bën të ndiheni mirë. Konsumuesit e çokollatës gjithashtu shprehen se ndihen më pak të stresuar.
6.Çokollata përmirëson qarkullimin e gjakut
Kakaoja hollon gjakun dhe ka efekte të ngjashme me aspirinën. Kjo ndihmon në presionin dhe qarkullimin e gjakut.
7 .Çokollata të bën më inteligjent
Rritja e presionit të gjakut që shkon drejt trurit, i shkaktuar nga flavanoli që ndodhet në kakao, duket se i bën njerëzit të ndihen më inteligjentë dhe, sipas një studimi britanik, përmirëson aftësitë përllogaritëse.