Vetëm për herë të tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara, presidenti i saj po përballet me seanca hetimore. Ato do të fillojnë sot në Senat prej orës 13 sipas kohës lokale apo prej orës 19 sipas zonës kohore të vendit tonë.
Në teori, ky proces mund të përfundojë me shkarkimin e presidentit. Megjithatë, gjasat që kjo gjë të ndodhë janë të vogla, sepse Partia Republikane e ka shumicën e ulëseve në Senat.
Presidenti Trump akuzohet për dy shkelje. E para, ai akuzohet se ka kërkuar ndihmë nga Ukraina për ta dëmtuar rivalin politik, Joe Biden, përmes fillimit të hetimeve kundër tij. Ai dyshohet se ka bllokuar ndihma ushtarake prej miliona dollarësh për Ukrainën me kusht që të fillojnë hetimet ndaj Biden-it.
Së dyti, pasi Shtëpia e Bardhë refuzoi që ta lejojë stafin të japë dëshmi në seancat e para të këtij procesi vitin e kaluar, anëtarët e Partisë Demokratike e akuzuan presidentin se me këtë veprim e ka penguar punën e Kongresit.
Duhet theksuar se i tërë procesi nuk është aspak i lidhur me rastin e hetimeve për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Organet e drejtësisë nuk kanë marrë hapa të tjerë në lidhje me këtë rast.
Seancat në Senat do të udhëhiqen nga Mitch McConnell, kryetar i këtij institucioni, anëtar i Partisë Republikane, dhe Chuck Schumer, udhëheqës i anëtarëve të Partisë Demokratike në Senat.
Këto dy figura do të vendosin për udhëzimet rreth dëshmitarëve, dëshmive, kohën e hetimeve dhe paraqitjen e argumenteve. Sidoqoftë, fjalën e fundit e ka kryetari i Senatit për shkak të mbizotërimit të Partisë Republikane. Senatorët do të votojnë sot për rregullat e këtij procesi, shkruan “BBC”.