Sot fillon viti i ri akademik në institucionet e arsimit të lartë

Prishtinë | 01 Tet 2020 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Viti i ri akademik 2020/2021, fillon sot në institucionet e arsimit të lartë, për studentët e vitit të dytë dhe të tretë, kurse për studentët e rinj të vitit të parë do fillojë me vonesë.

Ky vit i ri akademik për institucionet e arsimit të lartë ka filluar sot në formën online dhe të kombinuar, përcjellë Klan Kosova.

Për shkak të pandemisë, shumë njësi akademike e kanë filluar mësimin online, ndërsa ato që kanë specifika të veçanta, mësimin e organizojnë në klasë. Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, i cili ka marrë sot mandatin e tij, ka folur rreth obligimeve që ka marrë menjëherë për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe prioritetet e tjera.

”Qysh sot do të fillojë të merrem me problemet, ku kam caktuar mbledhjen e senatit në ora 13:00 për tu njoftuar me përbërjen e ekipit. Ndërsa, nga dita e nesërme do të fillojmë të adresojmë problemet e mundshme për fillimin e vitit të ri akademik. Do ta kemi edhe një mbledhje të kolegjiumit, ku do të njoftohem nga afër nga të gjithë dekanët për problemet specifike”.

Ndër tjera siç bënë të ditur Radio Kosova, Sahiti, tha se mësimi do të organizohet i kombinuar.

”Pjesët e tjera të procesit mësimor, që kërkojnë përfshirjen praktike të studentëve, do të organizohen në mënyrë fizike”.

Ndërkohë, ekspertët thonë se organizimi i mësimit varet edhe nga situata pandemike në vend.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se do të ishte mirë që mësimi të zhvillohet me praninë fizike në klasë, por jo të gjitha institucionet e kanë një mundësi të tillë.

Elbasan Geci, nga Paqja Studentore pohon se studentët kanë kërkuar që disa njësi akademike të mbajnë mësimin me praninë e studentëve në klasë, për shkak të specifikave që kanë.

Provimet pranuese për kandidatët e rinj dhe provimet e tjera do të mbahen në ambiente të fakulteteve, ndërsa ligjëratat, konsultimet dhe aktivitetet e tjera do të organizohen në distancë.

Të gjitha institucionet e arsimit të lartë, duhet t’i përmbahen udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për respektimin e masave.

Të ngjashme