Sot gjashtë vjet nga vdekja e regjisorit, Bekim Lumi

Prishtinë | 30 Kor 2024 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Sot me datë 30 korrik, bëhen gjashtë vjet që nga vdekja e regjisorit dhe profesorit, Bekim Lumi.

Gjatë viteve 1987 – 1991 ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Kurse gjatë viteve 1992 – 1996 ka mbaruar studimet për Regji Teatri, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, me 2010 ka mbaruar edhe studimet e magjistraturës.

Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në radion “Evropa e Lirë”.

Përgjatë këtyre viteve, ai ka punuar si regjisor i pavarur, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona” si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”.

Disa nga shfaqjet e tija kryesore janë: “Mesimi”, “Galani”, “Arushani & Fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dillerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”.

Me shfaqjet e tija, ai ka qenë pjesëmarrës në dhjetëra festivale të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë e Hercegovinë e në vende të tjera.

Bekim Lumi, me punën e tij si regjisor është shpërblyer me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Në vitin 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës ka fituar çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë;

Në vitin 2016 ka fituar “Çmimin Vjetor për Shfaqjen më të mirë”, të cilën e ndanë Ministria e Kulturës e Kosovës.

Lumi ka qenë botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja” e cila është botuar në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2010. Bekim Lumi është autor i dhjetra shkrimeve, analizave, studimeve e eseve për teatrin dhe përgjithësisht për skenën kulturore në Kosovë dhe më gjerë.

Nga viti 2013 ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, dega e regjisë së Teatrit.

Të ngjashme