Sot (e shtunë) hapet Grand Slami i xhudos që do të mbahet në kryeqytetin e Francës, Paris, 8 dhe 9 shkurt.
Ekipi i Kosovës do të përfaqësohet me tre garues në këtë garë, ku vërehet mungesa e kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi.
Distria Krasniqi, e cila normën Olimpike Tokio 2020 po e kërkon në kategorinë -48 kilogramë, këtë herë do të garojë në -52 kilogramë.
Nora Gjakova do të garojë në -57 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu në -63 kilogramë.
Fazliu, për të cilën do të jetë pjesëmarrja e parë në një Grand Slam, takohet në rrethin e parë me turken Minel Akdeniz.
Gara e Grand Slamit vlerësohet ndër më të fortat në sportin e xhudos, ndërsa vlen për pikë Olimpike Tokio 2020.