Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë sot hapet Panairi Dimëror tashmë tradicional.
Ngjarja është një mundësi për të mbështetur përpjekjet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe bizneseve të sapoformuara për promovimin e produkteve dhe avancimin e iniciativave të tyre të komunikimit dhe marketingut, si dhe për të krijuar shkëmbime në mes të bizneseve.
Për tre ditë me radhë, rreth 70 biznese lokale të dalluara për produkte vendore me cilësi të lartë do të paraqesin produktet e tyre duke filluar nga industria ushqimore deri tek punimet artizanale dhe ato artistike.
Për më shumë, gjatë gjithë kohës ngjarja do të ofrojë mundësi argëtuese, duke përfshirë muzikën, parulla të animuara, këndin për fotografi dhe ngjyrosje të fytyrës dhe pjesë të tjera të artit.
Panairi dimëror është organizuar nga Asociacioni i Agjencive Rajonale për Zhvillim (ARDA) në kuadër të projektit “Mbështetja për Zhvillimin Ekonomik Rajonal” i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.