Sot i jepet lamtumira e fundit të riut nga Deçani që u gjet i vdekur disa ditë pasi u zhduk

Prishtinë | 02 Jan 2023 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Viti 2023 nisi tragjikisht për familjen Kadriaj nga Deçani pasi morën lajmin se familjari i tyre, Dardani që ishte raportuar i zhdukur u gjet pa shenja jete. Të brengosur jashtëzakonisht shumë për tri ditë me radhë, familja s’kishte asnjë informacion për fatin e tij. Dje gjatë ditës ai u gjet pas kërkimeve intensive, por fatkeqësisht pa shenja jete.

Sot Dardanit i jepet lamtumira e fundit në varrezat afër odës së fshatit në Rastavicë dhe ceremonia pritet të fillojë për pak minuta.
“Njoftohen banorët e fshatit Rastavicë dhe më gjerë se varrimi i Dardan Musa Kadrijaj bëhët sot në ora 14 në varrezat afër odës së fshatit në Rastavicë.” Këshilli i Fshatit !”, thuhet në njoftimin e Këshillit të fshatit.

Dardan Kadriaj është gjetur gjatë ditës së djeshme në fshatin Rastavicë, pas kërkimeve nga Policia, FSK-ja e forcat e kërkim shpëtimit. Me shpresën se 30-vjeçari do të gjendej shëndosh e mirë, ai u gjet i vdekur në një fushë të këtij fshati.

Posa është gjetur trupi i pajetë në vendin e ngjarjes dolën të gjitha njësitë përkatëse, teksa trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Për t’u zbardhur rrethanat në të cilat ka vdekur i riu, me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes” dhe kanë filluar hetimet.

Ndryshe, Dardani ishte larguar nga shtëpia mëngjesin e 28 dhjetorit dhe që nga ai moment askush s’ishte në dijeni për vendndodhjen e tij.

Të ngjashme