Sot jemi edhe të vjedhur edhe të varfër!

Prishtinë | 05 Mar 2024 | 00:51 | Nga Muharrem Nitaj

Dhe vjen një ditë

Hic s’është kollaj në ditë të sotit. Zihet ngusht i shkreti njeri kur përditë përballet me pushtetin që të mashtron nga lartë e tregtarët që të zhvasin nga poshtë. Eshtë bërë e rëndë jeta dhe sot nuk jemi si dikur kur thojshin “nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur”! Sot jemi edhe të vjedhur edhe të varfër.

Ata që dikur bukën e gojës e kanë siguru me djersën e ballit e kanë pasë një shprehje
antologjike, ”puna e randë, heja e ligë”, kurse sot, ata që s’po mund të arnohen me aq sa
marrin ose që s’marrin hiç e që janë shumë, nuk u vjen marre me të thanë; s’po mund të
gjallnojmë këtu e jemi tu kqyrë me dalë!

Ata që kanë faj, u pëlqen të thonë se shqiptarat po largohen për një jetë më të mirë, por e vërteta është se ata po largohen sepse këtu, vec jetën s’e kanë të mirë, e skamja ia u braktisë atdheun. Skamja ose depresioni, e ky i fundit është edhe më i zi, sepse depresioni e merzia vijnë, jo vetëm nga mospasja me dinjitet për të jetuar, por edhe nga mungesa për të shpresuar!

Dhe sot në prag të këtij depresioni, në mos thellë në të, janë krejt ata që keq kanë jetuar e sot rrnojnë edhe më keq, por edhe ajo shtresa e mesme, që s’e ka prekur varfërinë ndonjë herë! E në këtë shtresën e mesme, janë mijëra mësues, mjekë e infermierë, policë e ushtarë, kamarierë e gazetarë. Janë qindra mijëra të punësuar në sektorin publik e privat e të gjithë ata që e presin “hasret” ditën kur do t’i marrin pensionet… I vogël mund të jetë numri i njerëzve të kësaj shtrese që nuk i bëjnë hesapet, siç nuk i kanë bërë dikur, nëse mund ta lidhin fillimin me fundin e muajit të shkretë.

Shqiptarët janë ndër të rrallët popuj, që për turp e shohin edhe sëmundjen edhe fukarallëkun! Veç atyre iu ndodh që edhe doktorit t’mos ia kallxojë krejt sëmundjen që e kan e varfërinë ta fshehin poshtë nën plaf!
Ndoshta edhe nuk kanë faj, sepse mund të jenë të ngjashme edhe skamja edhe sëmundja. Edhe njëra edhe tjetra të përfshijnë përkundër vullnetit që ke. Vijnë tu u rritë e pa i thirrë dhe vjen një ditë kur mund të mos fshihen më.

Dhe vjen një ditë!

Të ngjashme