Vrasja e arsimtares së gjeografisë dhe historisë, Sadije Godeni, ka tronditur nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës fillore të mesme të ulët ‘Dardania’ në Prishtinë. Pas marrjes së lajmit të kobshëm, objekti i shkollës pothuajse është boshatisur dhe nxënësve iu komunikua që mësimi sot nuk do të mbahet.
Sinjali ka qëndruar në shkollën ‘Dardania’ paraditen e sotme, ku ka kontaktuar edhe me drejtorin, Isak Bregaj, i cili ka pohuar se arsimtarja Sadije ka qenë punëtore në këtë institucion për rreth 30 vite dhe nuk kanë pasur asnjëherë problem me të.
Bregaj tha se gjatë ditës së djeshme, 63-vjeçarja ka mbajtur mësim si zakonisht dhe mungesa e saj mëngjesin e sotëm, e ka habitur.
“Sadija ka jep mësim në 10 klasë. Ka qenë punëtore dhe e komunikueshme. Nuk kemi pasë problem me të. Dje ajo ka qenë në mësim edhe sot kur nuk erdh u çudita thashë çka ka ndodhë, se ajo kurrë s’ka mungu, ose të paktën më ka njoftu mua gjithë. Nuk kemi vërejtë as une e as kolegët që diçka nuk është në rregull. Kjo situatë nuk di..”, tha ai për Sinjalin.
Pikëllimi për vdekjen tragjike të mësimdhënëses i ka kapluar të gjithë stafin e shkollës, përfshirë edhe të gjithë nxënësit dhe ish-nxënësit.
Ajo nga të gjithë përshkruhet si mësimdhënëse shembull dhe e zonja, e dashur për të gjithë.
Ndryshe i dyshuari kryesor për vrasjen e rëndë është bashkëshorti i saj, Izet Godeni. Godeni është dorëzuar në Polici në orët e para të mëngjesit, ku ka deklaruar se ka vrarë bashkëshorten e tij.
Pas marrjes së informatës, njësitë policore bashkë me ekipin mjekësor të Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e pajetë të 63-vjeçares e cila dyshohet se u vra në mënyrë makabre me sëpatë. Sinjali mëson se në vendin e krimit janë parë njolla gjaku gjithandej.
Me urdhër të prokurorit, 70-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është inciuar rasti për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’. Ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.