Sot në Gjykatën Themelore në Pejë, do të mbahet seanca ndaj policit Argjend Kastrati, i cili akuzohet për aksidentin me fatalitet në Qyshk, ku vdiq e reja Zana Gjevukaj.
Ndaj tij, aktakuza ishte ngritur më 11 qershor, bëri të ditur Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.
Nikçi tha se prokurori i shtetit ka ndërmarrë veprime të menjëhershme në drejtim të hetimit të rastit.
Ai tha se zyrtari i Policisë së Kosovës është arrestuar në ditën e ndodhjes së aksidentit dhe brenda 48-orësh është dërguar në arrest shtëpiak me aktvendim të Gjykatës.
Siç bëri të ditur ai, masën e arrestit shtëpiak e ka kërkuar prokurori i shtetit, masë kjo që është në fuqi deri më 1 korrik.
“Prokurori i shtetit e ka trajtuar me prioritet, ku përveç intervistimit të gjitha palëve, sigurimit të provave, ekspertizave, me datë 11.06.2025 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K, për veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1, të Kodit Penale të Republikës së Kosovës”, tha Nikçi në një përgjigje me shkrim për Klankosova.tv.