Sot në ora 18:00 do të mbahet një seancë e jashtëyakonshme e Kuvendit të Shqipërisë, ku me votë të fshehtë do të votohet Elisa Spiropali, si kryetare e re e Kuvendit pas dorëheqjes së Lindita Nikollës.
Emri i Spiropalit si kandidaturë për krye parlamentare e publikoi vetë Rama në Kongresin e PS-së që u mbajt të dielën.
“Do i propozoj grupit parlamentar që në një seancë të posaçme të Kuvendit të Shqipërisë t’i japi të gjithë mbështetjen Elisa Spiropalit për të marrë drejtimin e Parlamentit” tha Rama.
Por, kandidatura e PS-së për Spiropalin, nuk pengon edhe propozime të reja nga grupet parlamentare të opozitës për kandidatura alternative, të cilat më pas shkojnë për votim.
Dorëheqja e Lindita Nikollës si kryetare e Kuvendit, e solli në vëmendje emrin e Elisa Spiropalit, e cila prej vitesh është ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Po sot në Kuvend socialistët do të jenë edhe në pritje të dekreteve të Presidentit, Bajram Begaj, për lirimin nga detyra dhe emëtrimin e ministrave të rinj të propozuar nga Rama.
Për ti dhënë rëndësi ngjarjes, mësohet se ka qenë vetë Rama që ka çuar në presidencë propozimet, të cilat më pas kthehen në dekrete presidenciale.
Kuvendi do të bëjë edhe dy ndryshime të tjera të rëndësishme. Nënkryetar i Kuvendit nga radhët e socialistëve do të jetë Bledi Çuçi, i cilin deri më tani ka drejtuar grupin parlamentar socialist. Në këtë pozicion Rama propozoi Niko Peleshin, i cili nuk do të jetë më ministër i Mbrojtjes.
Ndryshimet në qeveri
Taulant Balla – Ikën nga posti i ministrit të Brendshëm. Propozohet ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin, post i mbajtur nga Elisa Spiropali.
Ervin Hoxha- Propozohet Ministër i Brendshëm, post i mbajtur nga Taulant Balla. Hoxha mbante postin e kreut të IKMT-së.
Petrit Malaj – Propozohet Ministër i Financave, post i mbajtur nga Ervin Mete. Malaj mbante postin e kreut të AKBN-së.
Pirro Vengu – Propozohet Ministër I Mbrojtjes, post i mbajtur nga Niko Peleshi. Vengu mbante postin e Drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit.
Ndryshimet në Kuvend
Elisa Spiropali – Lë postin e ministres së shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Propozohet Kryetare e Kuvendit pas dorëheqjes së Lindita Nikollës.
Bledi Çuçi- Lë postin e kryetarit të grupit PS. Propozohet Nënkrytetar i parlamentit, post i mbajtur nga Ermonela Felaj.
Niko Peleshi – Lë postin e Ministrit të Mbrojtjes, propozohet kreu i grupit PS. /RTSH