Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pritet të takohen sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha se sot do mbahet takimi i radhës në Bruksel.
“Të enjten zhvillohen takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut”, tha ai.
Ndryshe rundi i fundit i bisedimeve u zhvillua më 18 prill dhe kishte përfunduar pa ndonjë sukses. Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, për përdorim të parasë së gatshme.
Të martën, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak shprehu pritshmërinë që bisedimet e së enjtes në Bruksel do të bazohen në ide konkrete.
“U ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një rrugë në lidhje me të ashtuquajturën “çështje dinar”. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta kalojmë pengesën e madhe. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, shkroi Lajçak në Facebook në një përmbledhje që i bëri angazhimit javor.