Sot në Bujanoc do të mbahet protestë kundër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe.
Kjo protestë e cila pritet të nisë në orën 11:00, organizohet në përgjigje të politikave diskriminuese dhe trajtimit të pabarabartë që shqiptarët e Luginës së Preshevës po përjetojnë prej vitesh.
Banorët e Bujanocit dhe zonave përreth pritet të dalin masivisht në këtë protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës së krijuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre.
Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë, duke theksuar se kjo është një mundësi e rëndësishme për të sensibilizuar komunitetin ndërkombëtar rreth gjendjes së vështirë në të cilën gjenden shqiptarët në këtë rajon.
Me moton “Ejani! Për vetën tuaj! Për ata që do vijnë pas nesh!”, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në këtë tubim paqësor.