Thuajse dy muaj me vonesë, për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste të Futbollit, në Shqipëri topi nisi të rrotullohet të dielën me ndeshjet e Kupës, ndërsa sot do të ngrejë siparin edhe sezoni 2020-2021 i Kategorisë Superiore.
Bojkoti mori fund javën e kaluar, me Ligën që u shfaq optimiste se do të arrijë të marrë atë që donte nga qeveria shqiptare, ndërsa të 10 skuadrat e Superiores janë gati të matin forcat në fushë, pas një faze përgatitore përtej normales.
Gjithçka do të startojë sot në orën 13:45 me kryendeshjen e javës, Tirana-Kukësi, apo më saktë kampionia dhe nënkampionia e sezonit të kaluar, për të cilat shorti vendosi që të matin forcat që në javën e parë.
Për shkak të problematikës së krijuar me stadiumet në kryeqytet e rrethe, ku është bërë mbjellja e zakonshme në këtë stinë e barit, sfida do të luhet në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës.
Tirana vjen pas një aventure mjaft të mirë në eliminatoret e Europës, ku shkoi deri në fazën Play Off të Europa Leagues, por sot do të përballet me mungesa të shumta dhe trajnerit Emanuel Egbo di t’i duhet të sajojë formacionin.
Nga ana tjetër Kukësi ka ndryshuar thuajse tërësisht krahasuar me një sezon më parë, pasi tani në pankinë është një emër si Skënder Gega, i cili ka fituar titullin kampion me Partizanin, në sezonin e vetëm që ka drejtuar në Superiore.
Krahas Gegës, edhe organika ka ndryshuar jo pak, pasi janë larguar thuajse të gjithë titullarët e sezonit të kaluar dhe janë zëvendësuar nga të tjerë, disa të rinj të talentuar e të tjerë me eksperiencë të liga të ndryshme europiane, por që duhet të tregojnë veten te Kukësi.
Në të njëjtën orë, por në stadiumin “Kamza”, që do të jetë shtëpia e Kastriotit këtë sezon, krutanët do të presin Partizanin në ndeshjen e parë për ta, që prej rikthimit në Kategorinë Superiore.
Krutanët kanë si synim mbijetesën dhe kanë krijuar një skuadër me të rinj të talentuar, por edhe ekspertë të Superiores si Sebino Plaku apo Isli Hidi, ndërsa Partizani afrimin më të bujshëm e ka bërë në pankinë, ku ka marrë Ilir Dajën, trajnerin më të suksesshëm të ligës elitare të futbollit në Shqipëri.
Një tjetër skuadër që bëri mirë në Europë dhe që këtë sezon nuk e ka fshehur synimin për të shkuar te titulli i parë kampion, është Laçi, që do ta nisë kampionatin nga stadiumi “Adush Muça” i Ballshit, ku do të përballet me Bylisin vendas.
Të dy skuadrat njihen si ekipe fushe, që japin maksimumin në shtëpinë e tyre dhe që luajnë një futboll shumë të fortë, ndaj përballja e sotme pritet të jetë mjaft interesante.
Në orën 16:45 vëmendja do të spostohet në Durrës, ku pas një merkatoje të bujshme në emra, Teuta do të bëjë prezantimin zyrtar për sezonin e ti përballë Skënderbeut, të cilit i ka mbetur vetëm emri nga ajo skuadra e lavdishme që shkruante historinë e futbollit shqiptar.
Pas triumfit në Kupë dhe Superkupë, “djemtë e detit” do të provojnë të fitojnë titullin kampion këtë sezon dhe futbollistët e afruar premtojnë për një synim të tillë, ndërsa korçarët janë një ekip i mbushur me djem të rinj, të cilët kanë për timonier një trajner si Julian Ahmataj, që ka treguar se di të punojë me futbollistë të tillë dhe t’u marrë maksimumin.
Po në të njëjtën orë në “Loro Boriçi” do të luhet përballja Vllaznia-Apolonia, me shkodranët që kanë ndryshuar tërësisht këtë sezon, si në nivel drejtues, ashtu edhe në pankinë e organikë futbollistësh dhe kanë si synim rikthimin në kupat europiane.
Përballë kuqebluve që këtë vit do të drejtohen nga gjermani Thomas Brdaric, do të jetë Apolonia kampione e Kategorisë së Parë, një skuadër e mbushur me futbollistë të rinj të talentuar, që do të provojë të tregojë se filozofia e klubit vlen edhe për në Kategorinë Superiore.
Starton kështu edhe sezoni 2020-2021 i Kategorisë Superiore, sërish me dyer të mbyllura për shkak të pandemisë.