Sot pritet të fillojnë punimet me kapacitet të plotë në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë.
Prej disa ditësh ka nisur përgatitja e terrenit për fillimin e punimeve në këtë rrugë, ndërtimi i së cilës ka nisur në vitin 2009. Realizimi i projektit zgjati rreth 15 vite. Shkaku i problemeve të shumta, ajo ende nuk ka përfunduar.
Më 8 shkurt, Ministria e Infrastrukturës së Kosovës ka nënshkruar kontratë me konsorciumin “HIDROSTROY AD SOFIJA dhe ESKAVATORI L.L.C.”, kompani nga Bullgaria dhe Kosova, për përfundimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
“Jemi shumë afër fillimit të punimeve me kapacitet të plotë, duke filluar nga 26 shkurt 2024 do të ketë një rritje të numrit të punëtorëve dhe pajisjeve të rënda në terren”, tha ministri Liburn Aliu javën e kaluar për RTK-në.
Në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate, ministri i Infrastrukturës në Prishtinë, Liburn Aliu, ka theksuar se sipas marrëveshjes, kompanisë i është dhënë afat që punimet t’i përfundojë brenda 12 muajve.
Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar me bashkëfinancim me Fondin Saudit të Zhvillimit, në vlerën 25 milionë euro.