Sot nuk u mbajt mësimi në shumicën absolute të shkollave

Prishtinë | 09 Mar 2019 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e SBASHK ka komunikuar  vazhdimisht me kryetarët e Kuvendeve sindikale komunale në tërë Kosovën për t’u informuar me situatën aktuale sot në institucionet arsimore të Kosovës.

Nga raportet e arritura  nga komunat e Kosovës  vërehet se shumica absolute e shkollave të  Kosovës sot nuk kanë punuar.

Kjo do të thotë se ato respektojnë në tërësi vendimin e Këshillit Drejtues që orët e humbura të grevës të mos kompensohen, por të pritet vendimi meritor i Gjykatës Themelore në Prishtinë pasi që SBASHK ka dërguar  padi në këtë Gjykatë ndaj vendimit të MASHT lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë.

Bazuar në këto raporte vërehet  se në shumicën  e komunave nuk ka punuar sot as një institucion i Arsimit Parauniversitar, por ka raste në ndonjë komunë, aty e këtu, kur është tentuar të mbahet mësimi në ndonjë shkollë, por numri i nxënësve ka qenë tepër i vogël dhe  kjo tendencë e ndonjë drejtori a DKA-ja ka shkuar e kotë.

Duke e parë këtë realitet SBASHK i drejtohet edhe një herë MASHT-it, Drejtorive Arsimore Komunale dhe edhe ndonjë drejtori tekanjoz që të lënë  presionet  dhe tendencën për të krijuar situatë se gjoja po zëvendësohen orët e humbura në grevë. Le të presin të gjithë të qetë e pa bërë presione ndaj mësimdhënësve vendimin meritor të Gjykatës dhe pastaj të gjithë do të veprojmë sipas vendimit të institucionit gjegjës të drejtësisë.

SBASHK kujton drejtorët tekanjoz se në grevë ishim edhe për ta dhe arritëm të përmirësojmë edhe koeficientet e tyre. Ata mos të harrojnë se sot janë drejtor, por nuk duhet të bëhen servil sepse kohët ndryshojnë dhe ata do të jenë prapë mësimdhënës dhe çfarë do t’u thonë kolegëve të tyre . A do të kenë fytyrë që t’i shikojnë në sy?

I kujtojmë edhe drejtorët e DKA-ve se jemi duke përcjellë me kujdes veprimet e tyre dhe cili do nga ta nëse e ngrit gishtin dhe zërin ndaj punëtorëve të arsimit për të bërë presion  që të kompensohen orët e humbura të grevës para vendimit meritor të Gjykatës gjegjëse do të përballen  me drejtësinë. Drejtorë të nderuar të DKA-ve lexojeni Ligjin e grevave dhe do të shihni se ky ligj nuk obligon pjesëmarrësit  grevës të kompensojnë a mbajnë orët e humbura në grevë, thuhet në komunikatën e dërguar nga SBASHK.

Të ngjashme