Çështja e Novak Djokovic mund ta ketë sot një epilog. Tenisti serb mund të dëbohet nga Australia nëse ministri i Imigracionit e shfrytëzon fuqinë e tij për t’ia anuluar vizën.
Dje, Novak Djokovic e fitoi seancën, duke u quajtur i padrejtë vendimi për anulimin e vizës nga autoritetet australiane.
Megjithatë, ministri i Imigracionit i Australisë e ka fuqinë që ta rrëzojë këtë vendim dhe t’ia anulojë sërish vizën tenistit numër një një botë momentalisht.
Kjo u prit të ndodhte dje, megjithatë nga mediat australiane u raportua se vendimi mund të merret sot (e martë).
Nëse ministri e shfrytëzon këtë të drejtë, Djokovic jo vetëm që do ta humbte Australian Open, por edhe do të ndalohej të hynte në Australi për tri vite.
E megjithëse ende pritet një vendim përfundimtar, Novak Djokovic dje nisi me stërvitjet, teksa synon GrandSlamin numër 21.
Ai madje shfrytëzoi Twitterin për ta thyer heshtjen pas vendimit të gjykatës në Australi.
Tenisti serb në profilin e tij në Twitter e ka publikuar një fotografi përmes së cilës ka treguar që i ka nisur stërvitjet për pjesëmarrje në Australian Open, ndonëse ministri i Imigracionit i Australisë ende nuk ka marrë vendim përfundimtar.
“Jam i kënaqur dhe mirënjohës që gjykatësi vendosi kundër anulimit të vizës. Pavarësisht gjithë asaj që ka ndodhur, unë dua të qëndroj dhe të përpiqem të konkurroj AustralianOpen Unë mbetem i fokusuar në këtë. Fluturova këtu për të luajtur në një nga ngjarjet më të rëndësishme që kemi përpara tifozëve të mrekullueshëm. Tani për tani nuk mund të them më shumë, por faleminderit të gjithëve që qëndruat me mua gjatë gjithë kësaj dhe më inkurajuat të qëndroj i fortë”, ka shkruar Djokovic në Twitter.