Gjatë ditës së sotme do të mbahet seanca gjyqësore fillestare në rastin e “53 milionë eurove” të ndara shtesë për “Bechtel & Enka” ku të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, shkruan Reporteri.net.
Në seancën e fundit e cila u ndërpre, Lekaj deklaroi se nuk është pajisur me aktakuzë, andaj propozoi që të shtyhet seanca për maksimumi 10 ditë. I njëjti tha se as avokati i tij paraprak nuk është pajisur me aktakuzë.
Në këtë rast, Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, si dhe Nebih Shatrit, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, po akuzohen nga PSRK se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.