Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se në ditën e sotme po shënojnë 3 vite nga fitorja bindëse dhe historike e 14 shkurtit e Lëvizjes Vetëvendosje!
“Ky moment shënon një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila është udhëhequr nga një dëshirë e fortë për të sjellë ndryshime dhe për të përmbushur synimet e qytetarëve”, ka thënë Haxhiu, para gazetarëve.
Në këto tre vite, sipas saj, Qeveria Kurti ka shënuar suksese të shumta në rrugën drejt transformimit dhe avancimit të drejtësisë në Kosovë.
“Ministria e Drejtësisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë përmbushjes së standardeve më të larta të drejtësisë, për të ndërtuar një sistem të besueshëm dhe efikas për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Më tej, Haxhiu ka theksuar se përparimet janë të dukshme në shumë fusha të veçanta, megjithatë ka përmendur “disa arritje vetëm në ditën e sotme nga mbledhja e fundit e Qeverisë”.
“Urime ditën e ndryshmit të madh, ditës kur qytetari me mbështetjen e madhe na dhanë që t’i shtymë përpara reformat. Dy zotimet kanë qenë, punësim dhe drejtësi. Sot votuam projektligjin për Gjykatën Administrative që ka qenë zotim i ynë dhe që ka për qëllim çështje të kontesteve administrative. Stafi do të shtohet që të jenë të përgatitur profesionist. Po ashtu Qeveria morri vendim që një banës të konfiskuar ta ndaj për një viktimë të trafikimit. Të gjitha banesat e konfiskuara do t’i dhurojmë për ata që kanë nevojë”, u shpreh Haxhiu, teksa foli edhe për marrëveshjet me Malin e Zi.
“Miratuam tri marrëveshje ndërkombëtare me Malin e Zi. Miratuam edhe projektligjin që ka të bëjë me BE-në. Se pari gjatë kësaj javë janë në seancë votimi për Vettingun në sistemin e drejtësisë. Po vazhdojmë me reformën në KPK-në. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, kemi miratuar Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme… Kemi miratuar ligjin që themelon Institutin për hulumtim dhe dokumentimin e krimeve të luftës”, tha ajo.
“Mirëqenia qytetare është tejet e rëndësishme në rrugën për drejtësi dhe barazi. Një qeveri e drejtë dhe e përgjegjshme është një partner i rëndësishëm i qytetarëve në këtë rrugë. Sot sikurse përherë, ritheksojmë zotimin tonë, vullnetin e palëkundur e të shumë dëshmuar, se angazhohemi për të vazhduar përpara në këtë rrugë të rëndësishme, në luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke rikthyer dinjitetin shtetit dhe institucioneve, duke vendosur profesionalizmin dhe etikën si vlerë në punë, e duke luftuar pa hakmarrje, nepotizmin, shantazhet, dhe veprimet e tjera kriminale, apo veseve të tjera të këqija që dikur frymonin nëpër institucione. Kemi një rrugë të gjatë përpara, dhe kjo është mirë, sepse do të kemi aq shumë për të bërë bashkërisht drejt sukseseve të reja!”