Sot vazhdimi i 41-të i seancës konstituive të Kuvendit

Prishtinë | 03 Kor 2025 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Deputetët do të mblidhen sërish në Kuvend sot, në një “përpjekje” të radhës, të 41-tën për konstituimin e Kuvendit.

Seanca qysh prej 15 prillit është ndërprerë çdo të dytën ditë.
Situatën nuk e ka ndryshuar as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të një javë më parë, i
cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë
seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së voni deri më 26 korrik.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se aktgjykimi lejon edhe votim të mbyllur. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e thonë të kundërtën – se aktgjykimi konstatoi se votimi duhet të bëhet hapur.

Presidentja të mërkurën i ka takuar krerët e partive më të mëdha politike në vend për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe sot do të zhvillojë takime edhe me kryetarët e partive të tjera më të vogla.

Vjosa Osmani ka kërkuar që “në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”, sipas një komunikate.

Të ngjashme