Sot është dita vendimtare pas një fushate të ndezur elektorale, me projekte e platforma, akuza dhe kundërakuza, sqarime e replika. Asambleja Zgjedhore e FSHF-së do të japë verdiktin e shumëpritur nga komuniteti i futbollit dhe jo vetëm, atë se cili do të drejtojë institucionin qeverisës të futbollit shqiptar për 4 vitet e ardhshme.
Presidenti aktual, Armand Duka, kërkon një mandat të pestë, duke u bazuar në progresin e futbollit shqiptar nën drejtimin e tij, ndërsa rivali kryesor Bashkim Fino, që vjen nga politika, premton ndryshimin pas akuzave të forta ndaj drejtimit aktual, shkruan Shqip. Në garë është edhe Shpëtim Hala, ish-gjyqtar, edhe pse me një kandidaturë që nuk ka pasur rezonancë të fortë mediatike. Kjo e këtij viti në fakt ka qenë edhe fushata më e nxehtë në aspektin mediatik, me akuza të forta, duke nisur që nga ato të përdorimit të politikës e deri te ato për abuzim me fondet, tani zhurma ia lë vendin votimit, me 66 anëtarët e Asamblesë që do të vendosin me votën e tyre se cili do të jetë presidenti i ardhshëm.
Statuti përcakton qartë se për t’u zgjedhur president kandidati ka nevojë për 2/3 e votave të vlefshme, dhe nisur nga shifra e 66 anëtarëve me të drejtë vote do të thotë se duhen 44 vota. Në rast se asnjë prej kandidatëve nuk arrin të sigurojë këtë shumicë të përcaktuar, atëherë zhvillohet një raund i dytë midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Këtu kandidati që fiton me shumicë të thjeshtë, 50% plus 1 të votave zgjidhet president.
Edhe pse është folur shumë më pak, tejet të rëndësishme janë edhe zgjedhjet për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, që përbëhet nga 11 persona, presidenti, dy zëvendëspresidentë dhe 8 anëtarë, ndërkohë që Presidenti i Shoqatës së Arbitrave zgjidhet automatikisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv. 23 janë kandidaturat që garojnë për vendet në organin më të lartë kolegjial që drejton dhe merr vendime mes periudhave të dy asambleve.
Mbledhja më e rëndësishme e futbollit shqiptar do të nisë që nga ora 9 e mëngjesit të kësaj të mërkure në hotel Adriatik në Durrës me rendin e ditës që kulmon pikërisht me zgjedhjet për presidentin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Pritet të jetë një mbledhje e gjatë dhe me interes të jashtëzakonshëm.