Sot ka ditëlindjen një prej figurave të dashura korçare, Sotiraq Bratko, “Mjeshtër i Madh”, aktori që me talentin, thjeshtësinë dhe humorin e tij u bë pjesë e shpirtit artistik të qytetit.
Sotiraq Bratko lindi më 8 dhjetor 1951 në Korçë dhe u rrit me dashurinë për artin.
Pas studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, iu bashkua Teatrit “Andon Zako Çajupi”, ku shkëlqeu në dhjetëra role, duke sjellë në skenë humor, emocion dhe sinqeritet artistik.
Në kinematografi interpretoi shumē personazhe, por famën e gjeti me rolin e Tirkës në “Zonja nga qyteti”, një figurë e paharrueshme për publikun shqiptar.
Me mbi 70 role në teatër dhe 18 role në film, Sotiraq Bratko dëshmoi një karrierë të pasur, të larmishme dhe plot përkushtim.
Ndër rolet në kinematografi mund të përmendim: Në vitin 1973: “Brazdat” – në rolin e Skënderit; 1976: “Përballimi” – në rolin e punëtorit të fabrikës; 1977: “Flamur në dallgë” – në rolin e mekanikut Vaso; 1978: “Nusja dhe shtetrrethimi” – në rolin e Petrit; 1978: “Pranverë në Gjirokastër” – në rolin e e operatorit televiziv; 1979: “Liri a vdekje” – në rolin e Latif ages; 1980: “Gëzhoja e vjetër” – në rolin e Kujtimit; 1980: “Një shoqe nga fshati” – në rolin e Tirkës; 1981: “Në prag të lirisë” – në rolin e Fihtit; 1982: “Shokët” – në rolin e Janit; 1983: “Fraktura” – në rolin e babait të Gazit; 1984: “I paharruari” – në rolin e Sotirit; 1985: “Të shoh në sy” – në rolin e Nestit; 1986: “Rrethimi i vogël” – në rolin e Maksit; 1986: “Dasëm e çuditshme” – në rolin e Servetit; 1987: “Botë e padukshme”; 1989: “Njerëz në rrymë”; 1976: “Zonja nga qyteti” – Tirka; 1977: “Zemra që nuk plaken në rolin e Petritit; “Një shoqe nga fshati” – Tirka.
Ai ka luajtur në dhjetëra role në dramë e komedi, kryesisht me Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës.
Për disa vite, jeta e çoi jashtë Shqipërisë, në Greqi, por arti ishte brenda tij. Me rikthimin në Korçë, ai u rikthye edhe në skenë, duke dëshmuar se pasioni nuk shuhet kurrë.
Për kontributin në art, ai është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, vlerësim për një jetë të tërë në shërbim të skenës dhe ekranit.
Sotiraq Bratko është një prej atyre njerëzve që i dhanë Korçës dinjitet artistik. Ai mbetet në kujtesën e qytetit si një aktor i dashur dhe i talentuar që i fali publikut të Korçës dhe gjithë Shqipërisë qeshje, emocione dhe art të vërtetë.
Në këtë ditë të lindjes së aktorit të dashur për publikun korçar dhe jo vetëm, prefekti i Korçës Nertil Jole e uron me një postim në rrjetet sociale: “Urime për ditëlindjen aktori i dashur i qytetit tonë! Jetë të gjatë, shëndet e sa më shumë role të bukura!”./atsh/KultPlus.com