Gareth Southgate është larguar nga posti i trajnerit te Kombëtarja e Anglisë.
Ky vendim i papritur i Southgatet ka ardhur dy ditë pasi Anglia u mposht në finalen e “Euro 2024” nga Spanja me rezultatin 2:1.
Edhe pse kishte opsionin e rinovimit të kontratës deri në vitin 2026, Southgate ka preferuar të largohet nga posti i tij duke ofruar dorëheqjen edhe pse kishte kontratë valide deri në fund të këtij viti.
Me anë të një letre, të cilën e ka publikuar Federata e Futbollit të Anglisë, Southgate ka falënderuar të gjithë për përkrahjen dhe mundësinë e dhënë që të jetë në krye të Anglisë për tetë vjet.
Ka shtuar se ndihet i privilegjuar që për 102 ndeshje ka udhëhequr Anglinë, ndërsa një falënderim të veçantë e ka pasur për futbollistët, të cilët sipas tij nuk kanë kursyer asgjë nga vetja për të prezantuar vendin e tyre.
“Kemi tifozët më të mirë dhe përkrahja e tyre ka pasur rëndësi të madhe për mua. Unë jam tifoz i Anglisë dhe gjithmonë do të mbetem i tillë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Southgatet.
Nën drejtimin e tij, Anglia ka treguar paraqitje të mira, ndërsa në dy Kampionatet Evropiane të fundit, ka arritur deri në finale.