Deklarata e kandidatit për kryeministër të Vetëvendosjes, Albin Kurti se do të kërkoj bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht pozitës se ku do ndodhet do t’i acaroj raportet mes dy vendeve, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Nexhmedin Saphiu.
Ky i fundit në një prononcim për ‘Indeksonline’, ka thënë se Kurti duhet ta bëjë dallimin mes të qenurit në opozitë dhe kur je në pushtet. Me këtë deklaratë, sipas tij, mund të rrezikohen raportet mes dy vendeve.
“Kjo rrezikon raportet me Shqipërinë. Ndryshe është kur Kurti është në opozitë dhe në Shqipëri mund t’i thonë bravo për deklaratat e tij. Por, ndryshe nga pozicioni kur mund të jetë kryeministër dhe më këtë mendoj se me këtë qëndrim do të ketë telashe me Shqipërinë. Do të ketë kundërshti dhe marrëdhëniet do të acarohen”, ka thënë Spahiu për ‘Indeksonline’.
Ndërsa, sa i përket reagimeve të mundshme nga faktori ndërkombëtar, Spahiu ka thënë se kjo tek të huajt nuk çon peshë, pasi ish lideri i Vetëvendosjes, sipas tij, mbështetjen tek masat nuk e ka fituar duke ua bërë qefin Bashkësisë Ndërkombëtare.
“Më këtë qëndrim ai ka ardhur deri këtu. Por, ai dhe të gjithë do ta kuptojnë se ne nuk jemi një komb, por dy kombe”, ka shtuar Spahiu.
Ndryshe, Kurti në një intervistë për mediat në Shqipëri ka thënë se dëshira dhe interesi i qytetarëve në të dy anët e kufirit janë të tilla.
“Këtë personalisht do ta kërkoj gjithnjë, pavarësisht pozitës ku do të ndodhem. Megjithatë është e rëndësishme që të sqarohemi se nuk e bën bashkimin kryeministri i Kosovës, por populli i Kosovës. Ajo çfarë do të bëjmë në qeverinë e LV, është që t´i japim popullit të Kosovës të drejtën e referendumit, të cilën sot nuk e ka. E drejta për referendum është një ndër themelet e të qenit sovran. E pastaj, kur të jetë e drejta për referendum, populli i Kosovës le të flasë vetë, kur të jetë momenti”, ka thënë ndër të tjera Kurti.